Sipas informacionit paraprak zyrtar, rreth orës 07:30 forcat e Policisë së Shtetit kanë rrethuar një stan në malin Bodë, në zonën e Maliqit, ku dyshohej se fshihej shtetasi Violand Braçellari.
Sipas policisë, 43-vjeçari rezulton i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për “kultivim të bimëve narkotike”.
Gjatë operacionit, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve të forcës së posaçme “Shqiponja”.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektori Edison Adri, 36 vjeç. Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Në kundërpërgjigje, efektivët kanë hapur zjarr për neutralizimin e sulmit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe Braçellari, i cili më pas është arrestuar nga policia.
Në vendngjarje është nisur edhe një helikopter i shërbimit shëndetësor për transportimin e të plagosurve drejt spitalit.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes që i mori jetën një punonjësi policie gjatë ushtrimit të detyrës.
