Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën një efektiv dhe u plagos një tjetër.
Në një postim publik, Rama vlerësoi operacionin e forcave të rendit dhe e cilësoi atë si një ndërhyrje kurajoze për kapjen e një personi të shumëkërkuar, i cili sipas tij prej vitesh i ishte shmangur drejtësisë në zonat malore të Korçës.
“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari… ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli”, shkroi Kryeministri.
Ai shprehu ngushëllime për familjen e efektivit të rënë në detyrë, duke e cilësuar atë “dëshmor të atdheut”, si dhe uroi shërim të shpejtë për efektivin e plagosur.
“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit”, përfundon reagimi i tij.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
