Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është përfshirë në një ngërç funksional, pasi prej disa javësh nuk po zhvillohen gjykime në themel. Shkak është bojkoti i avokatëve, të cilët kërkojnë rishikimin e rregullores së re të brendshme të gjykatës.
Rregullorja, e cila nisi të zbatohet më 1 shtator, sipas avokatëve kufizon ushtrimin e profesionit. Bojkoti i gjykimeve në themel nisi më 8 shtator, ndërsa në disa raste mbrojtësit janë gjobitur me 10 deri në 50 mijë lekë për mungesë të pajustifikuar.
Më 23 shtator, Dhoma e Avokatisë vendosi të përshkallëzojë bojkotin, duke përfshirë edhe seancat për caktimin, vlerësimin apo zëvendësimin e masave të sigurimit. Gjithashtu, u tërhoq lista e avokatëve të caktuar kryesisht pranë GJKKO-së.
Situata ka prekur disa dosje të rëndësishme, mes tyre çështjen “Partizani”, procesin ndaj kryebashkiakut të Shkodrës dhe atë ndaj Emiliano Shullazit.
Bojkoti ngre shqetësime edhe për personat e arrestuar që duhet të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurimit, pasi mungesa e mbrojtjes mund të sjellë vështirësi në zhvillimin e këtyre seancave.
Ndërkohë, në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila funksionon me një rregullore tjetër, proceset vijojnë normalisht.
Përplasja mes avokatëve dhe GJKKO-së vijon, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të rifillojnë gjykimet dhe si do të trajtohen seancat e masave të sigurimit në ditët në vijim.

