Portugalia po kalon një moment të mirë në Ligën e Kombeve, duke kryesuar grupin pas katër raundesh me 12 pikë të plota, pavarësisht mungesës së Kristiano Ronaldos.
Trajneri i kombëtares portugeze, Zhorge Zhezus, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Ronaldos në grumbullimet e ardhshme, ndërsa theksoi se vendimi përfundimtar i takon vetë kapitenit.
“Nëse dëshiron, ai do të rikthehet te kombëtarja. Mund të flasim para grumbullimit të radhës, por Kristiano është ai që do të vendosë”, u shpreh Zhezus.
Trajneri portugez nënvizoi se Ronaldo duhet ta përfundojë aventurën e tij me kombëtaren në mënyrën që dëshiron vetë, duke lënë të kuptohet se rikthimi mund të shërbejë edhe si një mundësi për një ndeshje lamtumire.
“Kristiano duhet ta mbyllë aventurën e tij me kombëtaren në mënyrën që dëshiron. Është ai që do të vendosë se si dëshiron ta bëjë këtë”, deklaroi Zhezus.
Ai kujtoi gjithashtu bisedën e parë me Ronaldon pas marrjes së detyrës: “Në grumbullimin tim të parë, i thashë: ‘Kam nevojë për ty, kam nevojë që të jesh pranë meje, duke luajtur apo jo, kam nevojë për ty’. Dhe tani po them të njëjtën gjë”.
Ronaldo, një prej figurave më të rëndësishme në historinë e futbollit portugez, mbetet kështu i mirëpritur në kombëtare, ndërsa e ardhmja e tij me fanellën e Portugalisë do të varet nga vendimi personal i sulmuesit.

