Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vijuar hetimet ndaj Belinda Balluku, duke njoftuar se ndaj saj, përveç akuzës për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ekzistojnë dyshime edhe për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi një vilë në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, në Bashkinë Himarë. Sipas hetimeve paraprake, pasuria dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik gjatë një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol.
SPAK bën me dije se bëhet fjalë për një vilë dykatëshe me sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë dhe verandë 34 metra katrorë, e ndodhur në një parcelë prej të paktën 300 metrash katrorë.
Sipas organit të akuzës, hetimet kanë zbuluar veprime të kundërligjshme në procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit mbi 88.6 milionë lekë, si dhe në një shtesë kontrate me vlerë mbi 14.1 milionë lekë pa TVSH. Prokuroria pretendon se gjatë hartimit të dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k.
Sipas SPAK-ut, favorizimi i kompanisë ka vijuar edhe pas shpalljes së fituesit, përmes parapagimit të menjëhershëm në masën 50 për qind të kontratës dhe gjatë zbatimit të saj.
Hetimet kanë ngritur dyshime se Balluku, në cilësinë e ish-Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol, ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt një vilë me vlerë 145 mijë euro në resortin “White Rocks”, e zhvilluar nga kompania “Eurocol” sh.p.k., si shpërblim për favorizimin e saj në procedurën e tenderit.
Po sipas SPAK-ut, për të fshehur origjinën dhe pronësinë reale të pasurisë janë përdorur kontrata dhe veprime juridike të dyshuara si fiktive, përfshirë një kontratë porosie të vitit 2018 dhe një kontratë qiraje të vitit 2022, së bashku me amendimet përkatëse.
Prokuroria e Posaçme thekson se hetimet janë ende në zhvillim dhe synojnë dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për secilin prej tyre.
