Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është shënuar këtë të enjte në zonën bregdetare të Vlorës. Pas heqjes së telave me gjemba disa ditë më parë, sot është larguar plotësisht edhe gardhi rrethues në zonën e Zvërnecit dhe Porto Novos.
Vendimi vjen pas reagimeve të forta dhe protestave të vazhdueshme nga përfaqësues të shoqërisë civile, banorë të zonës dhe aktivistë të mjedisit, të cilët kundërshtuan rrethimin e një territori që gëzon statusin e zonës së mbrojtur natyrore.
Kundërshtarët e projektit argumentuan se kufizimi i aksesit në këtë hapësirë cenonte interesin publik dhe rrezikonte vlerat natyrore e mjedisore të zonës. Presioni i vazhdueshëm qytetar duket se ka sjellë ndryshimin e situatës në terren, duke çuar në heqjen e plotë të gardhit.
Ndërkohë, protestat qytetare vijojnë prej katër ditësh edhe në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë kanë kërkuar transparencë dhe mbrojtjen e hapësirave publike. Organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
