Një tjetër tender shumëmilionësh për shërbimin e pastrimit në Bashkinë e Korçës ka ngritur pikëpyetje mbi konkurrencën dhe kriteret e vendosura në procedurë, pasi fituese është shpallur sërish kompania Korsel, këtë herë në bashkëpunim me kompaninë Fusha.
Sipas dokumenteve të procedurës së finalizuar më 30 qershor 2026, objekti i kontratës është shërbimi i pastrimit të qytetit, me një fond limit prej 382.442.137 lekësh pa TVSH dhe me afat zbatimi 36 muaj. Bashkimi i operatorëve ekonomikë Korsel–Fusha ka paraqitur ofertën prej 380.562.120 lekësh, ose rreth 99.51% të fondit limit.
Në këtë procedurë mori pjesë edhe kompania Alko Impex, me një ofertë pranë fondit limit, por ajo u skualifikua për mungesë dokumentacioni lidhur me disponimin e një ambienti prej të paktën 800 metrash katrorë për parkimin e mjeteve, depozitimin dhe riparimin e kontenierëve, si dhe magazinimin e materialeve të nevojshme për realizimin e shërbimit.
Pikërisht ky kriter është konsideruar nga kritikët si një kusht që favorizon operatorët ekzistues, pasi Korsel disponon prej vitesh një hapësirë të tillë, ndërsa për kompani të tjera hyrja në garë bëhet më e vështirë.
Korsel vijon të jetë kompania dominuese në tenderët e pastrimit në Korçë prej më shumë se 14 vitesh. Ajo është shpallur fituese edhe në vitin 2017 dhe më pas në vitin 2023, ndërsa kontrata e fundit e lidhur para kësaj procedure kishte një vlerë prej rreth 400 milionë lekësh.
Kompania ka qenë më parë objekt hetimesh dhe sanksionesh administrative, pasi në vitin 2022 u përjashtua për 18 muaj nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik për paraqitje dokumentesh të rreme në një tender në Tiranë. Më pas, aksionet e saj kaluan në pronësi të shtetasve Arqile dhe Marjela Peri, ndërsa në opinion publik kanë vazhduar të qarkullojnë pretendime se pas kompanisë vijojnë të qëndrojnë të njëjtët persona që e kanë administruar ndër vite.
Tenderët e pastrimit në Korçë kanë qenë edhe më herët objekt i verifikimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka evidentuar parregullsi dhe mangësi në dokumentacionin e procedurave të zhvilluara.
Ndërkohë, Bashkia e Korçës nuk ka reaguar ende ndaj pretendimeve për favorizim apo për kriteret që, sipas kritikëve, kufizojnë konkurrencën në një nga kontratat më të rëndësishme të shërbimeve publike në qytet.

