OPERACIONI “THE HILL 2” NË DURRËS, ARRESTOHEN DY TË RINJ PËR SHPËRNDARJE DROGE

OPERACIONI “THE HILL 2” NË DURRËS, ARRESTOHEN DY TË RINJ PËR SHPËRNDARJE DROGE

Finalizohet në Durrës operacioni policor i koduar “The Hill 2”, i cili kishte në shënjestër goditjen e një rasti të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit dhe në zonat bregdetare.

Si rezultat i operacionit të zhvilluar nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, D. R., 33 vjeç, dhe K. Xh., 27 vjeç, të dy banues në Durrës.

Sipas policisë, dy personat dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa në doza të vogla.

Ata janë kapur në fshatin Rrashbull, ndërsa gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre janë sekuestruar mbi 100 doza lëndë narkotike të dyshuara kokainë dhe cannabis sativa, të përgatitura për shitje, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, dy armë të ftohta (një shkop bejsbolli dhe një thikë), si dhe tre celularë.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *