Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar me sarkazëm ndaj deklaratave të fundit të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, duke i bërë thirrje që “të qetësohet” në mes të një shkëmbimi të ashpër deklaratash mes dy vendeve.
Gjatë një interviste për Channel 14 në Izrael, Netanyahu tha se retorika e Ankarasë është shqetësuese, por theksoi se Izraeli mbetet i vendosur për sigurinë e tij.
“Sigurisht që më shqetëson,” u shpreh ai, duke iu referuar deklaratave të fundit nga zyrtarë turq që kanë shtuar tonet kritike ndaj Izraelit dhe kanë folur për “çlirimin e Jerusalemit”.
Netanyahu shtoi se tensionet aktuale lidhen edhe me ndryshimet në ekuilibrat rajonalë, duke përmendur Iranin dhe Turqinë si pjesë të dinamikave më të gjera politike në Lindjen e Mesme.
“Ajo që thotë Erdogan për dëshirën për të shkatërruar Izraelin… do të ishte e mençur që ai të qetësohej,” tha ai, duke theksuar se Izraeli nuk do të lejojë kërcënime ndaj ekzistencës së tij.
Deklaratat vijnë në një periudhë të rritjes së tensioneve diplomatike mes Ankarasë dhe Jerusalemit, ndërsa retorika e ashpër nga të dyja palët ka shtuar shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.

