Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në fushën e mbetjeve në Vlorë, duke përfshirë nga flakët një pjesë të zonës së depozitimit të mbetjeve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në terren u angazhuan forcat zjarrfikëse së bashku me mjetet e emergjencës, të cilat punuan për disa orë për izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së zjarrit drejt sipërfaqeve të tjera.
Falë ndërhyrjes së tyre, zjarri u vu nën kontroll në orët e mbrëmjes, ndërsa situata aktualisht paraqitet e stabilizuar dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse flakët janë shkaktuar si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, apo nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme.
Ndërkohë, pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet përkatëse në terren për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të ngjarjes.
