GJYKATA E POSAÇME E APELIT LË NË BURG VËLLEZËRIT HOXHOSMANI, TË AKUZUAR PËR TRAFIKUN E MBI 6 TON KOKAINË

GJYKATA E POSAÇME E APELIT LË NË BURG VËLLEZËRIT HOXHOSMANI, TË AKUZUAR PËR TRAFIKUN E MBI 6 TON KOKAINË

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e “arrestit në burg” për dy vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, duke mos ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë.

Dy të pandehurit ndodhen në qeli që prej korrikut të vitit të kaluar, pas arrestimit të tyre në kuadër të një operacioni të gjerë të goditjes së një grupi kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Sipas hetimeve të SPAK, vëllezërit Hoxhosmani akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë trafikuar mbi 6 ton kokainë gjatë vitit 2020, me një vlerë të përllogaritur tregu që arrin rreth 411 milionë euro.

Hetimet janë mbështetur kryesisht në komunikime të përftuara nga platformat e enkriptuara Sky ECC dhe EncroChat, të cilat kanë ndihmuar në zbërthimin e aktivitetit të grupit kriminal. Po ashtu, në dosje përfshihet edhe dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erjon Alibej.

Sipas SPAK, organizata kishte strukturë të mirëorganizuar hierarkike, ku drejtuesit financonin dhe koordinonin operacionet, ndërsa pjesëtarët e tjerë merreshin me logjistikën, transportin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në vendet e destinacionit.

Hetimet tregojnë se grupi kishte shtrirje ndërkombëtare dhe lidhje me persona të përfshirë në porte dhe struktura doganore në disa shtete europiane, të cilat dyshohet se lehtësonin kalimin e ngarkesave të drogës.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *