Shqipëria po vijon të përballet me një tkurrje të fortë demografike, e ndikuar kryesisht nga emigracioni i vazhdueshëm dhe rënia e lindjeve. Sipas të dhënave të përpunuara nga INSTAT, mbi 166,400 shtetas shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë periudhës 2021–2026, duke thelluar krizën demografike në vend.
Sipas analizës së migracionit neto, periudha pas pandemisë ka shënuar rritje të ndjeshme të largimeve, ku në vitin 2021 u regjistrua një bilanc negativ prej -32,853 personash, ndërsa në vitin 2022 rreth -32,497 persona. Tendenca negative ka vijuar edhe në vitet pasuese, me një kulm në vitin 2024 kur u raportua një bilanc prej -43,761 personash.
Në dy vitet e fundit, 2025–2026, nga vendi janë larguar mbi 57,300 persona, duke mbajtur emigracionin në nivele të larta dhe të qëndrueshme negative.
Në dekadën e fundit, trendi i migracionit ka pësuar luhatje të konsiderueshme. Pas një kulmi të mëparshëm në vitin 2014 dhe një uljeje graduale deri në 2016, largimet u rritën sërish pas vitit 2019, ndërsa pandemia e vitit 2020 solli vetëm një frenim të përkohshëm të lëvizjeve.
Raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të Bankës Botërore, e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të prekura në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga emigracioni, përpara vendeve të tjera si Kosova, e cila kohët e fundit ka shfaqur shenja stabilizimi.
Sipas analizave ekonomike, faktorët kryesorë që ndikojnë largimin e qytetarëve lidhen me diferencat e pagave me vendet e Bashkimit Europian, rritjen e kostos së jetesës dhe mundësitë e kufizuara të zhvillimit profesional në tregun vendas. Po ashtu, shumë profesionistë të kualifikuar si mjekë, infermierë, inxhinierë dhe specialistë IT vijojnë të emigrojnë për kushte më të mira pune dhe karriere.
Ndër faktorët e tjerë përmenden edhe perceptimi për cilësinë e shërbimeve publike, si arsimi dhe shëndetësia, si dhe një klimë e përgjithshme pesimizmi social dhe institucional, që sipas ekspertëve e shtyn emigracionin të kthehet në një zgjedhje afatgjatë për shumë familje shqiptare.
Burimi: Monitor
