SITUATË KRITIKE NGA ZJARRET NË ULËZ TË MATIT, FLAKËT PËRHAPEN DREJT MADHESHIT, RREZIKOHEN FERMAT

SITUATË KRITIKE NGA ZJARRET NË ULËZ TË MATIT, FLAKËT PËRHAPEN DREJT MADHESHIT, RREZIKOHEN FERMAT

Situata nga zjarret në Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë kritike. Prej tre ditësh, flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Lundrës dhe masivin pyjor të Trodhenit.

Gjatë natës së kaluar, zjarri është përhapur me shpejtësi edhe në fshatin Madhesh, duke rritur rrezikun për fermat dhe gjënë e gjallë të banorëve të zonës, raporton gazetari Enver Doçi.

Sipas banorëve, në një prej fermave ndodhen rreth 250 lopë, krahas një numri të konsiderueshëm bagëtish të imta, kryesisht dele dhe dhi, si dhe disa koshere bletësh. Zona është përfshirë nga një tym i dendur, ndërsa banorët raportojnë se disa krerë bagëtish nuk janë gjetur që prej nisjes së zjarrit.

Pavarësisht ndërhyrjes së një helikopteri prej dy ditësh dhe angazhimit të forcave të shumta në terren, flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit. Deri më tani raportohet se janë djegur qindra hektarë pyje, ku përfshihen pisha, dushqe dhe lloje të tjera bimësie.

Banorët e zonës kanë bërë apel për ndërhyrje urgjente dhe shtim të mjeteve ajrore, pasi zjarri po përparon në drejtim të territorit të Krujës.

Përhapja e flakëve në këtë drejtim ka shtuar shqetësimin për një zgjerim të mëtejshëm të vatrës, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *