Tre persona janë vrarë me armë zjarri në një poligon qitjeje në Danilovgrad të Malit të Zi, në një ngjarje të rëndë që ka tronditur vendin fqinj.
Policia malazeze ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit të dyshuar, një 30-vjeçar rus, i identifikuar si Mikhail Nikolaevich Shabunin.
Viktimat janë identifikuar si Petar Globareviç, 24 vjeç, dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, të dy nga Podgorica, si dhe Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danilovgradi.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një poligoni qitjeje, ndërsa rrethanat dhe motivet e sulmit mbeten ende për t’u sqaruar.
Autoritetet malazeze kanë intensifikuar kërkimet për 30-vjeçarin rus, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që të tregojnë kujdes dhe të mos afrohen nëse e hasin të dyshuarin.
Policia u ka kërkuar gjithashtu qytetarëve që kanë informacion për vendndodhjen ose lëvizjet e Mikhail Nikolaevich Shabunin që ta raportojnë menjëherë në numrin 122.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e motivit të këtij krimi të rëndë.

