TRAGJEDI NË ROMË, GJENDEN TË PAJETË ÇIFTI DHE VAJZA E TYRE 5-VJEÇARE, DYSHOHET PËR DRAMË FAMILJARE

TRAGJEDI NË ROMË, GJENDEN TË PAJETË ÇIFTI DHE VAJZA E TYRE 5-VJEÇARE, DYSHOHET PËR DRAMË FAMILJARE

Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur zonën e Pietralatas, në periferi të Romës, ku një çift dhe vajza e tyre 5-vjeçare janë gjetur të pajetë në banesën e tyre.

Viktimat janë identifikuar si 42-vjeçari Luca Ambasciano, 41-vjeçarja Valentina Pambianco dhe vajza e tyre e mitur, e cila kishte aftësi të kufizuara dhe kërkonte kujdes të vazhdueshëm.

Ngjarja është zbuluar pasditen e së hënës, pasi një familjar, i shqetësuar për faktin se nuk po arrinte të kontaktonte me ta, ka kërkuar ndihmën e autoriteteve.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve në apartament, policia ka gjetur trupat e tre anëtarëve të familjes në dhomën e gjumit. Të tre kishin plagë të shkaktuara nga të shtënat me armë zjarri. Në të njëjtën dhomë është gjetur i pajetë edhe qeni i familjes.

Sipas hetimeve paraprake, arma e përdorur në ngjarje ishte e regjistruar dhe mbahej në mënyrë të ligjshme.

Karabinierët po hetojnë kryesisht hipotezën e një drame familjare, konkretisht të një vrasjeje të dyfishtë të ndjekur nga vetëvrasja. Në banesë janë gjetur edhe disa shënime të shkruara nga të dy prindërit.

Sipas informacioneve paraprake, në shënime përshkruhej vështirësia me të cilën çifti përballej për të përballuar i vetëm nevojat e vajzës, si dhe ndjenja e izolimit që kishte përfshirë familjen. Mesazhet përmblidheshin me frazën: “Të vetëm nuk ia dalim dot.”

Hetuesit po verifikojnë nëse ngjarja ka qenë e planifikuar dhe nëse akti është kryer me marrëveshje mes dy prindërve.

Nga Bashkia e Romës bëhet e ditur se familja ishte në kontakt me shërbimet sociale dhe kishte marrë edhe mbështetje ekonomike. Vajza kishte frekuentuar një prej çerdheve të zonës, ndërsa gjatë vitit të fundit prindërit kishin vendosur që kujdesin për të ta vazhdonin në shtëpi.

Nëna kishte lënë gjithashtu punën për t’iu përkushtuar tërësisht kujdesit ndaj vajzës.

Përfaqësuesit e bashkisë kanë shprehur tronditjen për ngjarjen, duke theksuar se, pavarësisht mbështetjes së ofruar nga shërbimet sociale, barra e situatës familjare dhe ndjenja e vetmisë mund të kenë qenë tepër të rënda për çiftin.

Edhe fqinjët janë shprehur të tronditur nga tragjedia, duke e përshkruar çiftin si shumë të lidhur me vajzën e tyre.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e tre anëtarëve të familjes.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *