Sekretari i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Dan Driscoll, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas rreth 18 muajsh në këtë post.
Largimi i tij është konfirmuar nga CBS, e cila raportoi se dorëheqja erdhi pas disa muajsh konfliktesh dhe përplasjesh mes Driscoll dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Driscoll, 41 vjeç, ka qenë sekretari më i ri i Ushtrisë në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe është cilësuar shpesh si “njeriu i dronëve” i Presidentit Donald Trump, për shkak të rolit të tij në promovimin e përdorimit të teknologjive të reja në ushtri.
Shtëpia e Bardhë e ka vlerësuar punën e Driscoll, duke e cilësuar atë si “shumë efektiv” në avancimin e agjendës së administratës Trump për “Ta bëjmë Amerikën të fortë sërish”. Në deklaratën e saj për CBS, Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Driscoll kishte ofruar “udhëheqje të jashtëzakonshme” gjatë operacioneve ushtarake.
Dorëheqja e tij vjen në një periudhë të largimeve të shumta të drejtuesve të lartë të ushtrisë amerikane. Driscoll është një prej emrave të fundit që largohet nga një post i rëndësishëm, pas Sekretarit të Marinës, John Phelan, i cili dha dorëheqjen papritur në prill.
Mes largimeve të tjera të rëndësishme janë edhe shefi i Shtabit të Ushtrisë, Randy George, gjenerali i Ushtrisë David Hodne dhe gjeneralmajori William Green.
Që prej marrjes së detyrës në Pentagon, Pete Hegseth ka shkarkuar ose larguar nga detyra dhjetëra oficerë të lartë ushtarakë. Mes tyre janë edhe shefi i Operacioneve Detare dhe zëvendësshefi i Shtabit të Forcave Ajrore.
Largimi i Driscoll pritet të shtojë vëmendjen mbi përplasjet brenda udhëheqjes së Pentagonit dhe ristrukturimin e drejtimit të forcave të armatosura amerikane nën administratën Trump.

