Një sasi prej 80 litrash lëndë e dyshuar si insekticid është konstatuar gjatë kontrolleve të zhvilluara këtë të hënë në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit të Doganës, lënda u gjet në një furgon që kishte mbërritur në Durrës me tragetin e linjës Bari–Durrës.
Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e doganës kanë konstatuar 80 bidona plastikë, me nga një litër secili, të cilët nuk ishin deklaruar dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës.
Për shkak të dyshimeve lidhur me përmbajtjen e bidonave, si dhe mungesës së dokumenteve të nevojshme, malli dhe furgoni u janë kaluar autoriteteve kompetente për verifikim.
Autoritetet do të kryejnë procedurat e mëtejshme për të përcaktuar përbërjen e lëndës dhe origjinën e saj, ndërsa hetimet vijojnë.

