Popullsia e Shqipërisë po vijon trendin rënës, e ndikuar si nga ulja e lindjeve, ashtu edhe nga emigracioni. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, më 1 janar 2026 vendi numëron 2,335,930 banorë, duke shënuar një rënie prej 1.16% krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025, rreth 28,531 persona kanë emigruar neto nga vendi, duke përfshirë ata që janë larguar dhe ata që janë kthyer. Ndërkohë, shtesa natyrore ka mbetur pozitive me vetëm +1,147 lindje më shumë se vdekje, duke mos arritur të kompensojë humbjet nga migracioni.
Raporti gjinor në lindje ka mbetur pothuajse i pandryshuar, me 107.9 meshkuj për çdo 100 femra gjatë vitit 2025.
Në nivel rajonal, vetëm Tiranë ka shënuar rritje të popullsisë me 0.7%, duke vijuar të jetë qarku më i populluar në vend me rreth 32.8% të totalit të popullsisë. Pas saj renditen Fier me 9.7%, Elbasan me 9.5% dhe Durrës me 9.4%.
Rëniet më të mëdha të popullsisë janë regjistruar në qarqet e Kukës (-2.59%) dhe Shkodër (-2.56%).
Një tjetër tregues shqetësues është plakja e popullsisë. Mosha mediane ka arritur në 45 vjeç në fillim të vitit 2026, nga 44.3 vjeç në fund të 2025-s, duke treguar një prirje të vazhdueshme drejt plakjes demografike dhe duke e afruar Shqipërinë gjithnjë e më shumë me mesataren europiane.
Burimi: Monitor
