EURO BIE, USHQIMET SHTRENJTOHEN. SHQIPËRIA 5 HERË MBI MESATAREN E BE-SË.

EURO BIE, USHQIMET SHTRENJTOHEN. SHQIPËRIA 5 HERË MBI MESATAREN E BE-SË.

Rënia e fortë e euros gjatë kësaj vere nuk është shoqëruar me ulje të çmimeve të produkteve të importuara. Përkundrazi, ushqimet dhe pijet joalkoolike në Shqipëri janë shtrenjtuar ndjeshëm, duke e vendosur vendin ndër ekonomitë europiane me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve.

Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2 për qind në korrik 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo normë është rreth pesë herë më e lartë se ajo e regjistruar në Bashkimin Europian, ku rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve ishte vetëm 0.6 për qind.

Të dhënat europiane tregojnë gjithashtu se tendenca e çmimeve po lëviz në drejtime të kundërta. Në Shqipëri, inflacioni vjetor i ushqimeve u përshpejtua nga 2.9 për qind në qershor në 3.2 për qind në korrik. Në të njëjtën periudhë, në Bashkimin Europian norma u përgjysmua, duke zbritur nga 1 për qind në 0.6 për qind.

Me këtë nivel, Shqipëria renditet e pesta ndër 36 vendet europiane për rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve. Përpara saj qëndrojnë Turqia, me një rritje të jashtëzakonshme prej 37.6 për qind, Rumania me 4.6 për qind, Qiproja me 4.5 për qind dhe Islanda me 4.4 për qind.

Rritja e çmimeve të ushqimeve po jep edhe një kontribut të rëndësishëm në inflacionin e përgjithshëm në Shqipëri. Në korrik, inflacioni i harmonizuar arriti në 3.4 për qind, nga 3.2 për qind që ishte një muaj më parë. Ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë kontributin më të madh në këtë rritje, me 1.09 pikë përqindje, duke përbërë gati një të tretën e inflacionit të përgjithshëm.

Pesha e ushqimeve në shpenzimet e familjeve shqiptare e bën këtë situatë veçanërisht të ndjeshme për konsumatorët. Sipas INSTAT, ushqimet zënë 34.46 për qind të shportës së përdorur për llogaritjen e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit. Kjo do të thotë se çdo rritje e çmimeve të produkteve bazë reflektohet drejtpërdrejt në buxhetin familjar.

Diferenca me Bashkimin Europian bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet inflacioni i përgjithshëm me atë të ushqimeve. Në korrik, inflacioni i përgjithshëm në BE ishte 3 për qind, vetëm 0.4 pikë përqindje më i ulët se në Shqipëri. Por te ushqimet hendeku është shumë më i madh. Ndërsa në Shqipëri çmimet u rritën me 3.2 për qind, në BE rritja ishte vetëm 0.6 për qind. Kjo tregon se presionet inflacioniste në ekonominë shqiptare janë të përqendruara më fort te produktet bazë të konsumit.

Shqipëria kryeson edhe në Ballkanin Perëndimor për rritjen e çmimeve të ushqimeve. Në korrik, Kosova regjistroi një rritje prej 2.7 për qind, ndërsa Mali i Zi 2.3 për qind. Ndërkohë, në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut çmimet e ushqimeve ishin më të ulëta se një vit më parë. Në Serbi rënia arriti në 5.6 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ishte 0.3 për qind.

Edhe krahasimi me vendet fqinje anëtare të Bashkimit Europian e nxjerr Shqipërinë në një pozicion më të pafavorshëm. Në Bullgari, çmimet e ushqimeve u rritën me 1.2 për qind, ndërsa në Kroaci dhe Greqi ato ranë përkatësisht me 0.1 dhe 0.4 për qind.

Por shqetësimi për konsumatorët shqiptarë nuk lidhet vetëm me ritmin e rritjes së çmimeve. Të dhënat e Eurostat tregojnë se niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri tashmë është mbi mesataren e Bashkimit Europian. Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.9 për qind të mesatares së BE-së, nga 99.6 për qind që ishin një vit më parë.

Në terma të thjeshtë, kjo do të thotë se një shportë ushqimore që në Bashkimin Europian kushton 100 euro, në Shqipëri kushton mesatarisht rreth 103 euro, sipas matjes së Eurostat që merr në konsideratë fuqinë blerëse.

Problemi bëhet edhe më i madh kur çmimet krahasohen me nivelin e të ardhurave. Të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 43 për qind e mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48 për qind të mesatares së Bashkimit Europian. Kjo e vendos Shqipërinë ndër vendet me fuqinë blerëse më të ulët në Europë.

Në këtë situatë, diferenca mes çmimeve dhe të ardhurave po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Shqiptarët kanë të ardhura dukshëm më të ulëta se qytetarët e vendeve të BE-së, por për një pjesë të produkteve ushqimore po përballen me çmime të ngjashme, madje edhe më të larta.

Rënia e euros gjatë muajve të fundit do të duhej, të paktën teorikisht, të krijonte një efekt lehtësues mbi çmimet e produkteve të importuara nga Eurozona. Një monedhë europiane më e dobët ul në lekë koston e importeve dhe krijon hapësirë për uljen e çmimeve në treg. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se ky efekt nuk po reflektohet te ushqimet.

Përkundrazi, ndërsa inflacioni ushqimor në pjesën më të madhe të Bashkimit Europian po ngadalësohet, në Shqipëri ai po përshpejtohet. Kjo e vendos konsumatorin shqiptar përballë një paradoksi: euroja është dobësuar, por çmimet në raftet e marketeve nuk po ndjekin të njëjtën tendencë.

Në një vend ku ushqimet zënë më shumë se një të tretën e shportës së konsumit dhe ku të ardhurat për frymë janë më pak se gjysma e nivelit europian, çdo rritje e çmimeve të produkteve bazë rëndon ndjeshëm mbi buxhetet familjare. Shqipëria mund të jetë një nga vendet më bujqësore të Europës, por konsumatorët shqiptarë vijojnë të përballen me një kosto të lartë të jetesës, veçanërisht për produktet më të domosdoshme.

Burimi: Monitor

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *