Organizatorët e protestës kundër projektit në Zvërnec kanë publikuar një deklaratë me pesë kërkesa që i cilësojnë të panegociueshme, duke argumentuar se pas më shumë se tre dekadash tranzicion ka ardhur momenti për t’i dhënë fund një modeli qeverisjeje që, sipas tyre, ka dëmtuar pronën private, pasuritë kombëtare dhe interesin publik.
DEKLARATË
Pas 35 vitesh tranzicion, ka ardhur momenti për t’i dhënë fund një modeli qeverisjeje që ka cenuar pronën private, pasuritë kombëtare dhe interesin publik.
Kjo protestë, e nisur si reagim ndaj cenimit të pronës dhe të pasurive kombëtare, paraqet këto kërkesa të qarta dhe të panegociueshme:
1. Dorëheqjen e qeverisë.
2. Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë.
3. Shfuqizimin e Paketës së Maleve.
4. Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
5. Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Këto nuk janë kërkesa partiake. Janë kërkesa për drejtësi, ligjshmëri dhe mbrojtjen e interesit kombëtar.
Ne nuk pranojmë negociata mbi të drejtat themelore të qytetarëve dhe mbi pasuritë që u përkasin të gjithë shqiptarëve.
Sot i bëjmë thirrje çdo shqiptari, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohet në këtë përpjekje qytetare për t’i dhënë fund kësaj kaste politike të korruptuar Koha e heshtjes ka mbaruar. Koha për veprim ka ardhur. Shqipëria u përket qytetarëve të saj!
