Situata e krijuar nga zjarri pranë rrjedhës së lumit Shkumbin, në afërsi të fushës së grumbullimit të mbetjeve dhe Inceneratorit të Elbasanit, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit.
Pavarësisht ndërhyrjes së vazhdueshme të zjarrfikësve, flakët vijojnë të jenë aktive dhe janë afruar rrezikshëm me zonën e depozitimit të mbetjeve, duke rritur shqetësimin për një emergjencë të mundshme mjedisore.
Në terren po përdoren edhe sistemet hidrante të Landfillit të Elbasanit për furnizim me ujë dhe mbështetje të operacioneve të shuarjes së zjarrit. Megjithatë, temperaturat e larta dhe era po e vështirësojnë punën e ekipeve.
Autoritetet kanë vendosur në gatishmëri forcat operacionale dhe po monitorojnë situatën, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave dhe mbrojtja e fushës së mbetjeve. Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin zonën deri në normalizimin e plotë të situatës.
Operacioni për shuarjen e flakëve vijon, ndërsa situata mbetet ende e tensionuar.

