Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar nga Brukseli se aleanca mbetet e bashkuar dhe e përkushtuar ndaj mbështetjes për Ukrainën, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Duke folur përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Rutte iu përgjigj edhe pyetjeve mbi zhvillimet në luftën në Ukrainë, qëndrimin e Kinës ndaj Rusisë dhe rolin e Donald Trump në politikën ndërkombëtare.
Ai vlerësoi se forcat ukrainase po shkaktojnë humbje të mëdha në radhët e ushtrisë ruse, duke deklaruar se “Ukraina është në gjendje të vrasë ose të plagosë rëndë 30 mijë deri në 35 mijë ushtarë rusë në muaj”.
Sipas tij, këto shifra janë të rënda dhe tragjike, por Ukraina po vepron në vetëmbrojtje pasi nuk e ka nisur luftën.
Duke folur për mundësinë e paqes, Rutte theksoi se një marrëveshje kërkon vullnet nga të dyja palët: “Për të kërcyer tangon duhen dy veta. Zelensky është i gatshëm, por Putin jo”, u shpreh ai.

