Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, i cili dyshohet si autor i rrëmbimit dhe mbajtjes peng të të riut.
Në pranga ka rënë Enea Zyferi, i cili punonte si kamerier në lokalin e Armand Shakës, 41-vjeçarit të identifikuar nga autoritetet si personi kryesor i dyshuar në këtë ngjarje.
Sipas hetimeve paraprake, Zyferi dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar dhe se ka qenë i pranishëm në ambientin ku mendohet se është mbajtur peng Eglant Koçi.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës bëri me dije se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Armand Shakën, ndërsa vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autoritetet theksojnë se, pavarësisht kontrollit të imtësishëm në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng 34-vjeçari, si dhe verifikimeve në shumë objekte të tjera dhe zona të ndryshme, deri më tani nuk është bërë e mundur gjetja e Eglant Koçit.
Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa policia mbetet e angazhuar për të zbuluar vendndodhjen e 34-vjeçarit dhe për të dokumentuar plotësisht ngjarjen që ka tronditur opinionin publik.
