Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Fast”, duke vënë në pranga një 22-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me partnerët spanjollë përmes rrjetit ENFAST, pas informacioneve se personi i kërkuar fshihej në qarkun e Lezhës.
Si rezultat i veprimeve operacionale, në Shëngjin u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Spanjës shtetasi Orgito Paloka, 22 vjeç, lindur në Lezhë.
Sipas autoriteteve, Paloka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi ndaj tij Gjykata e Ibiza-s kishte lëshuar urdhër arresti më 18 maj 2026, për veprën penale “Vrasje”, mbetur në tentativë.
Pas arrestimit, kanë nisur procedurat për ekstradimin e 22-vjeçarit drejt Spanjës, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Operacioni është pjesë e aksioneve të vazhdueshme të Policisë së Shtetit për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
