Më pak se 24 orë përpara ndeshjes hapëse të Botërorit FIFA 2026, Meksiko City është përfshirë nga tensione dhe protesta që rrezikojnë të ndikojnë në atmosferën e ceremonisë inauguruese të turneut.
Mijëra mësues të organizuar në kuadër të Koordinimit Kombëtar të Punonjësve të Arsimit dolën në protestë dhe nisën një marshim drejt stadiumit Azteca, arena që do të presë ndeshjen e parë të kampionatit botëror mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Për të shmangur afrimin e protestuesve pranë stadiumit, policia meksikane ndërhyri duke vendosur barriera dhe blloqe betoni në rrugët kryesore që të çojnë drejt impiantit sportiv. Autoritetet synojnë të garantojnë zhvillimin normal të ceremonisë hapëse dhe të aktivitetit sportiv, i cili pritet të ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën.
Protestuesit kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, ndërsa sindikatat kanë paralajmëruar vazhdimin e aksioneve të tyre deri në plotësimin e kërkesave.
Sipas mediave lokale, qeveria meksikane po mban të hapura kanalet e dialogut me përfaqësuesit e protestuesve, në përpjekje për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës në prag të ngjarjes më të madhe sportive të vitit.
