Pas 16 vitesh nën drejtimin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, shumë analistë e konsideronin të pamundur një ndryshim politik në Hungari. Megjithatë, zgjedhjet e 12 prillit sollën një përmbysje historike, me partinë Tisza të udhëhequr nga Péter Magyar që siguroi një shumicë parlamentare prej më shumë se dy të tretash.
Në një intervistë të gjatë pas marrjes së detyrës, Magyar rrëfen rrugëtimin e tij nga një figurë e lidhur dikur me establishmentin e Fidesz-it në liderin që arriti të mposhtte njeriun që dominoi politikën hungareze për më shumë se një dekadë e gjysmë.
“Që votuesit të të besojnë, duhet të shkosh tek ata, t’i shikosh në sy dhe t’i dëgjosh”, thotë ai, duke shpjeguar se gjatë fushatës vizitoi mbi 700 qytete dhe fshatra në të gjithë vendin.
Sipas Magyar, pika e kthesës erdhi pas një interviste publike në vitin 2024, e cila u ndoq nga miliona qytetarë. Pak javë më vonë, protestat kundër korrupsionit dhe klientelizmit mblodhën fillimisht 50 mijë dhe më pas 200 mijë pjesëmarrës.
Kryeministri i ri argumenton se pas viteve të gjata me propagandë dhe polarizim politik, qytetarët filluan të humbnin besimin te narrativat e qeverisë së Orbánit.
“Fundi i një regjimi vjen kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tij, madje kur fillojnë të qeshin me të. Pikërisht kjo ndodhi në Hungari”, deklaron ai.
Magyar pranon se edhe pas fitores së zgjedhjeve, aparati shtetëror mbetet i mbushur me figura të afërta me Orbánin, duke përfshirë drejtues institucionesh të rëndësishme si gjyqësori dhe media. Megjithatë, ai thekson se votuesit nuk kërkuan thjesht një ndryshim qeverie, por një transformim të sistemit politik.
“Populli na votoi për të bërë një shkëputje të plotë nga e kaluara. Na duhen njerëz dhe rregulla të reja, si dhe rikthimi i balancave institucionale”, shprehet ai.
Për të shmangur përqendrimin e pushtetit, Magyar ka propozuar kufizimin e mandatit të kryeministrit në tetë vjet, një masë që, sipas tij, do të vlejë edhe për vetë atë.
Në politikën e jashtme, ai paralajmëron një qasje më të balancuar ndaj Ukrainës dhe Bashkimit Evropian. Magyar deklaron se Hungaria nuk do të dërgojë armë apo trupa në Ukrainë, por është e gatshme të mbështesë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë nëse ato miratohen me konsensus nga vendet anëtare.
Ai shton se synon të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Ukrainën, për sa kohë që garantohen të drejtat e pakicës hungareze që jeton atje.
“Ne duam të ribashkojmë kombin. Nuk ishte një betejë mes hungarezëve, por mes sistemit të Orbánit dhe popullit hungarez”, përfundon kryeministri i ri, duke e cilësuar fitoren e tij si fillimin e një epoke të re për Hungarinë.
