Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke deklaruar se negociatat mes palëve ndodhen në fazat përfundimtare dhe se Teheranit nuk do t’i lejohet të sigurojë armë bërthamore.
Duke folur para gazetarëve pas kthimit nga Nju Jorku, ku ndoqi finalet e NBA-së, Trump tha se situata mes Izraelit dhe Iranit duket se po qetësohet përkohësisht pas shkëmbimeve të fundit të sulmeve.
Ai bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke theksuar se palët mund të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Pata një bisedë shumë të mirë me të. Ai u godit dhe u kundërpërgjigj. Nuk mund ta fajësoj për këtë. Tani ata e konsiderojnë çështjen të mbyllur dhe ka gjasa ta lënë njëri-tjetrin rehat për rreth një javë ose më shumë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shtoi se një marrëveshje me Iranin mund të finalizohet brenda pak ditësh. Sipas tij, dokumenti do të ndalojë në mënyrë të prerë çdo mundësi që Irani të pajiset me armë bërthamore.
“Jemi në fazat përfundimtare të një marrëveshjeje shumë të mirë… ajo nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që Irani të sigurojë armë bërthamore”, deklaroi ai, duke shtuar se marrëveshja mund të nënshkruhet brenda dy ose tre ditëve.
Trump theksoi gjithashtu se një marrëveshje e mundshme do të ndikonte edhe në sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitet për të intensifikuar operacionet ushtarake kundër Iranit, por beson se diplomacia mbetet zgjidhja më efektive.
“Nëse do të vazhdonim bombardimet për disa javë, atyre nuk do t’u mbetej asgjë… Një marrëveshje e nënshkruar do të jetë më e fortë se bombardimet”, tha Trump.
Sipas tij, presioni ekonomik ka pasur ndikim të madh mbi Iranin, duke e shtyrë vendin drejt negociatave. Në fund, Trump konfirmoi gjithashtu se dy anëtarët e ekuipazhit të një helikopteri ushtarak amerikan Apache, i cili u rrëzua pranë Ngushticës së Hormuzit, janë shpëtuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
