Almir Ajzeraj është zyrtarisht lojtar i Dinamos. Sulmuesi është prezantuar sot në ambientet e klubit kryeqytetas, ku ka firmosur kontratën që e lidh me blutë për sezonin e ri.
28-vjeçari transferohet në Shqipëri nga skuadra e Dritës së Kosovës, pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme me klubin nga Gjilani. Për shërbimet e ish-lojtarit të Skënderbeut raportohet se kishin shfaqur interes disa ekipe, por në fund ishte Dinamo që arriti të sigurojë firmën e tij.
Ajzeraj largohet nga Drita me një bilanc të konsiderueshëm prej 253 ndeshjesh të zhvilluara, që nga sezoni 2019/20. Gjatë kësaj periudhe ai ka shënuar 21 gola dhe ka dhënë 35 asistime, duke qenë një nga lojtarët më konstantë të ekipit.
Ndërkohë, Dinamo po vijon punën edhe për rinovimin e kontratave të lojtarëve të tjerë, të cilëve u përfundon marrëveshja këtë muaj, duke synuar ruajtjen e boshtit të skuadrës për sezonin e ri.
Sipas raportimeve, ekipi i kryeqytetit i është rikthyer tashmë përgatitjeve, me fokus të veçantë në turin e parë të Ligës së Konferencës, ku synohet një paraqitje sa më dinjitoze në arenën evropiane.
