SPAK DËRGON PËR GJYKIM DOSJEN E INCENERATORIT TË TIRANËS: 13 PERSONA DHE 2 KOMPANI NËN AKUZË

SPAK DËRGON PËR GJYKIM DOSJEN E INCENERATORIT TË TIRANËS: 13 PERSONA DHE 2 KOMPANI NËN AKUZË

SPAK ka dërguar për gjykim dosjen e procedimit penal nr. 255 të vitit 2020, që lidhet me koncesionin për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka kërkuar gjykimin e 13 personave fizikë dhe 2 personave juridikë, të akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë mashtrim me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale, korrupsion aktiv, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Mes të pandehurve kryesorë janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët SPAK i konsideron pronarë de facto të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. Sipas prokurorisë, ata kanë përfituar në mënyrë të paligjshme fonde të konsiderueshme nga kontrata koncesionare, pa realizuar investimet e parashikuara.

Kontrata e lidhur më 31 gusht 2017 parashikonte një investim prej 128.2 milionë eurosh pa TVSH. Nga momenti i nënshkrimit deri në vitin 2023, kur u vendos sekuestrimi preventiv i kompanisë, ajo ka përfituar rreth 11.3 miliardë lekë, ndërsa investimet reale në objekt janë vlerësuar rreth 21 milionë euro.

SPAK pretendon se përmes një skeme mashtrimi, Mërtiri dhe Zoto kanë nxjerrë fonde nga llogaritë e kompanisë përmes faturave fiktive, shoqërive të krijuara brenda dhe jashtë vendit dhe transfertave në cash. Sipas hetimeve, nga kjo skemë janë transferuar rreth 1.28 miliardë lekë dhe 16.6 milionë euro.

Prokuroria thekson gjithashtu se për realizimin e kësaj skeme është përdorur një grup i strukturuar kriminal, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe të huaj, të akuzuar kryesisht për pastrim parash.

Në njoftim përmenden edhe veprimet e ish-zyrtarëve si Lefter Koka dhe Alqi Bllako, si dhe të tjerë zyrtarë të përfshirë në procesin e dhënies së koncesionit, të cilat sipas SPAK kanë bërë të mundur shpalljen fituese të kompanisë “Integrated Energy BV SPV” në kundërshtim me ligjin.

SPAK kujton se për një pjesë të kësaj çështjeje ka vendime të formës së prerë ndaj disa ish-zyrtarëve, ndërsa mbi pasuritë e të pandehurve dhe kompanive të lidhura me ta është vendosur sekuestrim preventiv me vendim gjykate në vitin 2023.

Në fund, SPAK thekson se hetimet për këtë dosje vijojnë ende dhe nuk janë përmbyllur plotësisht.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *