National Crime Agency (NCA) ka goditur një rrjet ndërkombëtar të dyshuar për drogim dhe abuzim seksual ndaj grave, duke arrestuar tetë persona në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e disa vendeve.
Sipas NCA-së, anëtarët e këtij rrjeti organizonin dhe koordinonin sulme seksuale ndaj grave që ndodheshin në gjendje të pavetëdijshme pas përdorimit të substancave narkotike. Aktiviteti kriminal zhvillohej përmes një forumi online, ku pjesëmarrësit shkëmbenin informacione, materiale dhe planifikonin aktet abuzive.
Hetimi nisi në vitin 2025, pasi një investigim gazetaresk në Gjermani zbuloi ekzistencën e platformës ku diskutoheshin dhe organizoheshin këto krime. Autoritetet britanike bëjnë të ditur se rrjeti kishte shtrirje globale, me anëtarë të identifikuar në dhjetëra vende në të gjitha kontinentet.
Deri më tani janë identifikuar mbi 270 persona të lidhur me forumin, ndërsa identiteti i tyre nuk është bërë publik për shkak të hetimeve që vijojnë. Përveç tetë arrestimeve të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet kanë hapur edhe 14 hetime të tjera, si brenda vendit ashtu edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Zëvendësdrejtori i NCA-së, Nigel Leary, deklaroi se sulmet seksuale të kryera me përdorimin e drogës nuk përbëjnë më raste të izoluara, por po shfaqen gjithnjë e më tepër si forma të krimit të organizuar të koordinuara përmes platformave dixhitale.
Rasti ka rikthyer në vëmendje ngjashmëritë me çështjen që tronditi Francën, ku Gisèle Pélicot u abuzua seksualisht për vite me radhë pasi drogohej nga ish-bashkëshorti i saj, i cili ftonte persona të tjerë të merrnin pjesë në këto krime. Pas zbulimit të këtij rasti, disa vende evropiane kanë intensifikuar hetimet ndaj rrjeteve të ngjashme që operojnë në internet.

