KREU I SPAK PREZANTON RAPORTIN PËR 2025/ 871 PROCEDIME PENALE, 30 ZYRTARË TË LARTË NËN HETIM DHE 43.5 MILIONË EURO PASURI TË SEKUESTRUARA

KREU I SPAK PREZANTON RAPORTIN PËR 2025/ 871 PROCEDIME PENALE, 30 ZYRTARË TË LARTË NËN HETIM DHE 43.5 MILIONË EURO PASURI TË SEKUESTRUARA

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, paraqiti në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të SPAK për vitin 2025, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve zgjedhore ka mbetur prioritet i institucionit.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, prej të cilave 294 janë çështje të reja, duke regjistruar një rritje prej 4.9% të volumit të punës krahasuar me vitin pararendës. Gjatë kësaj periudhe janë përfunduar 216 hetime, ndërsa është shtuar numri i procedimeve të nisura kryesisht nga vetë prokuroria.

Në fushën e korrupsionit, Braho bëri të ditur se gjatë vitit janë hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Prej tyre, 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 ish-zyrtarë të lartë kanë marrë vendime të formës së prerë gjatë vitit 2025.

Raporti evidenton se krimi i organizuar po shfaq forma gjithnjë e më të sofistikuara, përmes përdorimit të komunikimeve të enkriptuara, kompanive fiktive, transaksioneve informale dhe investimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme. Gjatë vitit janë hetuar 261 procedime për krim të organizuar, me 445 persona të vendosur nën hetim.

Një fokus i rëndësishëm i SPAK ka qenë edhe hetimi financiar. Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 43.5 milionë euro, ndërsa janë konfiskuar pasuri me vlerë 1.91 milionë euro. Mes tyre përfshihen edhe kriptovaluta të sekuestruara, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 14.5 milionë dollarësh.

Sa i përket krimeve zgjedhore, SPAK raportoi se ka administruar mbi 230 materiale kallëzuese dhe ka regjistruar më shumë se 150 procedime penale gjatë periudhës 2021–2025. Vetëm në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë regjistruar 46 procedime penale, ndërsa 22 prej tyre vijojnë të jenë në fazën e hetimit.

Raporti vë në dukje edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, ku gjatë vitit janë dërguar 156 kërkesa për ndihmë juridike drejt 31 shteteve, ndërsa janë pranuar 95 kërkesa nga 17 vende të ndryshme. Gjithashtu, numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është rritur nga 26 në 32.

Në përfundim, kreu i SPAK identifikoi një sërë sfidash që kërkojnë ndërhyrje ligjore dhe institucionale, mes tyre statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, mungesën e këshilltarëve ligjorë, forcimin e kapaciteteve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmirësimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *