Shqipëria është renditur ndër vendet me çmimet më të larta të qumështit, bulmetit dhe vezëve në Europë, duke u pozicionuar e dyta pas Zvicrës dhe pothuajse në të njëjtin nivel me Norvegjinë.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, çmimet e qumështit dhe produkteve të bulmetit në Shqipëri arritën në 135.6% të mesatares së Bashkimit Europian në vitin 2025, duke qenë rreth 36% më të larta se mesatarja e BE-së. Vetëm Zvicra, me indeksin 144%, rezulton më e shtrenjtë, ndërsa Norvegjia regjistroi 135.7%.
Rritja e çmimeve ka qenë veçanërisht e fortë gjatë viteve të fundit. Në vitin 2022, Shqipëria kishte një indeks prej 112.3% të mesatares së BE-së, ndërsa në vitin 2025 arriti në 135.6%, duke kaluar nga vendi i 13-të në Europë për nivelin e çmimeve të bulmetit, në vendin e dytë.
Krahasuar me vendet e rajonit, diferenca është e ndjeshme. Serbia regjistron një indeks prej 107.1% të mesatares së BE-së, Kroacia 111.2%, Mali i Zi 95%, Bosnjë-Hercegovina 92% dhe Maqedonia e Veriut 89.6%, duke mbetur dukshëm më të lira se Shqipëria.
Ekspertët e lidhin këtë trend me tkurrjen e sektorit blegtoral, rritjen e kostove të ushqimit për kafshët dhe varësinë nga importet. Gjithashtu, rënia e prodhimit vendas dhe rritja e kërkesës, e nxitur edhe nga flukset turistike, kanë ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet.
Emigracioni dhe plakja e popullsisë rurale kanë sjellë përgjysmimin e sektorit të blegtorisë gjatë dekadës së fundit, ndërsa nevoja për investime për t’u përshtatur me standardet e Bashkimit Europian po e bën sektorin edhe më të brishtë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm bulmeti, por edhe çmimet e ushqimeve në përgjithësi janë rritur ndjeshëm. Në vitin 2025, ato arritën në 102.9% të mesatares së BE-së, duke kaluar për herë të parë mbi nivelin mesatar europian.
Burimi: Monitor

