Shqipëri vijon të mbajë një nga normat më të larta të martesave në Europë, por paralelisht po përballet edhe me një rritje të ndjeshme të divorceve, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat dhe INSTAT.
Sipas Eurostat, në vitin 2024 në Shqipëri u regjistruan 6.8 martesa për 1 mijë banorë, i njëjti nivel si në vitin 2022 dhe dukshëm mbi mesataren europiane prej 3.9 martesash për 1 mijë banorë.
Pas Shqipërisë, normat më të larta të martesave u regjistruan në Turqi me 6.6 dhe Moldavi me 6.1 martesa për 1 mijë banorë. Në rajon, niveli më i ulët i martesave rezulton në Serbi, me 4.6 martesa për 1 mijë banorë.
Ndërkohë, fqinjët e Shqipërisë po regjistrojnë nivele shumë më të ulëta martesash. Itali kishte normën më të ulët në Europë, me vetëm 2.9 martesa për 1 mijë banorë, ndërsa në Greqi treguesi ishte 3.5.
Të dhënat historike tregojnë se norma e martesave në Shqipëri ka qenë shumë e lartë gjatë viteve 1980-1990, duke arritur kulmin në vitin 1990 me 8.9 martesa për 1 mijë banorë. Megjithatë, pas kësaj periudhe është vënë re një rënie graduale dhe e vazhdueshme.
Sipas INSTAT, viti 2024 shënoi minimumin historik të martesave në vend, me vetëm 16 120 martesa, nga rreth 29 mijë që regjistroheshin në vitin 1990.
Në të njëjtën kohë, divorcet po ndjekin drejtim të kundërt. Në vitin 2024, në Shqipëri u regjistruan 2 divorce për 1 mijë banorë, mbi mesataren europiane prej 1.6. Krahasuar me vitin 1964, kur norma ishte vetëm 0.6 divorce për 1 mijë banorë, rritja arrin në rreth 233%.
Kulmi i divorceve u arrit në vitin 2019, me 2.1 divorce për 1 mijë banorë, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan rreth 4 800 divorce, nga vetëm 2 700 në vitin 1990. Praktikisht, sot një në tre martesa në Shqipëri përfundon në divorc.
Shqipëria u rendit e 11-ta në Europë për nivelin e divorceve në raport me popullsinë. Duke përjashtuar vendet baltike, që kryesojnë për këtë tregues, Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të larta të divorceve, pas Danimarkë, Turqi, Finlandë dhe Suedi.
Sipas Eurostat, në Bashkimin Europian u regjistruan rreth 1.7 milion martesa dhe 0.7 milion divorce gjatë vitit 2024. Në raport me popullsinë, kjo përkthehet në 3.9 martesa dhe 1.6 divorce për 1 mijë banorë.
Që nga viti 1964, norma e martesave në BE është ulur me më shumë se 50%, ndërsa norma e divorceve pothuajse është dyfishuar. Ekspertët e lidhin këtë fenomen me ndryshimet sociale, rritjen e pavarësisë ekonomike të grave, ndryshimet kulturore dhe pranimin më të madh të divorcit në shoqëri.
Pandemia COVID-19 ndikoi gjithashtu në uljen e martesave në Europë, sidomos gjatë vitit 2020, kur norma e martesave ra ndjeshëm. Megjithatë, pas pandemisë është vënë re një rikuperim i lehtë, ndërsa normat e divorceve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara./ Monitor.
