Protesta qytetare e zhvilluar një ditë më parë ka shënuar pjesëmarrjen më të lartë që nga nisja e saj, duke mbledhur mijëra qytetarë në qendër të Tiranës. Tubimi filloi në Sheshin Skënderbej dhe vijoi me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.
Gjatë protestës u dëgjuan slogane të shumta, mes tyre “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e figurave politike që kanë dominuar jetën publike shqiptare ndër vite.
Organizatorët kanë njoftuar se protesta do të vijojë edhe sot. Tubimi është parashikuar të nisë në orën 18:00 nga Sheshi Skënderbej, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë reaguar ndaj protestave duke minimizuar rëndësinë e tyre dhe duke i lidhur ato me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit publike, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka kritikuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për lëvizjen qytetare.
Ajo që fillimisht nisi si një reagim kundër një projekti në zonën e Zvërnecit duket se po merr një dimension më të gjerë, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj institucioneve dhe sistemit politik në tërësi.
Kjo u reflektua edhe në mesazhet që dominuan protestën, ku krahas kritikave ndaj qeverisë u dëgjuan edhe thirrje kundër klasës politike në përgjithësi. Slogane si “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër më të dëgjuarat gjatë tubimit, duke pasqyruar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve ndaj aktorëve kryesorë të skenës politike shqiptare.
