Një operacion i gjerë policor është zhvilluar gjatë orëve të natës në zonën e fshatrave të Lumit të Vlorës, ku forcat e rendit kanë kryer kontrolle intensive në disa pika të ndryshme të territorit.
Sipas informacioneve paraprake, nga aksioni janë shoqëruar dhe arrestuar disa persona, ndërsa mes tyre dyshohet se ndodhet edhe një individ i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë operacionit, efektivët e policisë kanë sekuestruar katër armë zjarri, si dhe një automjet të blinduar. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e personave të ndaluar dhe as veprat penale për të cilat ata dyshohen.
Operacioni është drejtuar nga drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Edvin Ndreu, ndërsa në terren kanë marrë pjesë forca të shumta policore, të angazhuara në kontrolle dhe verifikime në disa zona të Lumit të Vlorës.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se aksioni është pjesë e përpjekjeve për goditjen e personave me precedentë kriminalë dhe individëve të kërkuar nga drejtësia, megjithatë priten konfirmime zyrtare për natyrën e plotë të operacionit.
Policia e Shtetit pritet të publikojë në orët në vijim një njoftim zyrtar me më shumë detaje mbi rezultatet e aksionit, numrin e personave të arrestuar, materialet e sekuestruara dhe veprat penale që po hetohen.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.
