Një operacion i autoriteteve greke kundër trafikimit të lëndëve narkotike ka çuar në sekuestrimin e mbi 109 kilogramëve marijuanë në Igumenicë dhe arrestimin e tre personave të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal. Në hetime janë përfshirë edhe strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja u regjistrua në zonën e Nea Selefkias, pranë Igumenicës, ku policia greke ndaloi një automjet tip “BMW” që dyshohet se kishte hyrë në territorin grek përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë.
Gjatë kontrollit të mjetit, efektivët zbuluan 102 pako me gjithsej 109 kilogramë e 364 gramë marijuanë, të fshehura në çanta sportive të zeza të vendosura në sediljet e pasme dhe në bagazh.
Në pranga u vu drejtuesi i automjetit, një shtetas turk 43 vjeç, i cili dyshohet se kishte për detyrë transportimin e lëndës narkotike drejt Athinës.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë informuar edhe Policinë Kufitare të Sarandës, pasi ekzistojnë dyshime se droga mund të ketë kaluar nga territori shqiptar përmes zonës së fshatit Çiflik në Bashkinë e Konispolit, duke përdorur një shteg të gjelbër kufitar të njohur për raste të ngjashme trafikimi.
Pas sinjalizimit, Policia Kufitare e Sarandës ka shtuar kontrollet përgjatë kufirit tokësor dhe në hapësirat detare për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Hetimet e zhvilluara në Greqi kanë çuar gjithashtu në arrestimin e dy shtetasve grekë në Athinë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol organizues ose bashkëpunues në trafikimin e lëndës narkotike.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se autoritetet shqiptare po punojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm në territorin shqiptar, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve vijon për zbardhjen e plotë të rrjetit.
Sipas të dhënave të autoriteteve greke, vetëm gjatë 10 muajve të fundit në zonën e Igumenicës janë goditur disa raste të trafikut të drogës me origjinë të dyshuar nga Shqipëria, ku janë sekuestruar rreth 440 kilogramë marijuanë. Në një prej operacioneve, lënda narkotike u gjet në një skaf që u fundos gjatë ndjekjes nga policia, ndërsa drejtuesi i tij, një shtetas nga Saranda, u arrestua.
Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Janinë, Kostur dhe Selanik. Sipas statistikave të autoriteteve greke, gjatë 10 muajve të fundit janë sekuestruar mbi 1.1 ton marijuanë që dyshohet se është trafikuar nga Shqipëria drejt Greqisë.
