Në orën 19:00 të kësaj të marte pritet të zhvillohet në Tiranë protesta e 37-të e organizuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, si edhe shqiptarëve të diasporës që ndodhen në Shqipëri, t’i bashkohen tubimit të paralajmëruar në kryeqytet.
Sipas planit të njoftuar, grumbullimi i protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahet pjesa qendrore e protestës.
Pjesëmarrësit dhe organizatorët kanë deklaruar se kërkesa kryesore e tyre mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë bërë të ditur se do të vijojnë mobilizimet dhe protestat edhe në vijim.
Protesta e sotme vjen në vazhdën e një serie tubimesh të zhvilluara gjatë javëve të fundit, ku pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë dhe kanë kërkuar ndryshime politike.

