Sot në orën 19:00 në Tiranë pritet të zhvillohet protesta e 32-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që ai drejton.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje nga qytetarë të gjithë vendit, si dhe nga shqiptarët e diasporës, duke kërkuar bashkim në tubimin që do të mbahet në kryeqytet.
Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit pritet të qëndrojnë për të shprehur kërkesat e tyre.
Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke e cilësuar protestën e sotme si një moment simbolik që shënon edhe një muaj nga nisja e demonstratave të njëpasnjëshme.

