NIS PILOTIMI I PROGRAMIT “PAS SHKOLLE” NË DISA SHKOLLA. KUMBARO: DREJT NJË MODELI TË UNIFIKUAR EDUKIMI PËRTEJ ORARIT MËSIMOR

NIS PILOTIMI I PROGRAMIT “PAS SHKOLLE” NË DISA SHKOLLA. KUMBARO: DREJT NJË MODELI TË UNIFIKUAR EDUKIMI PËRTEJ ORARIT MËSIMOR

Ka nisur pilotimi i programit “Pas Shkolle” në disa shkolla të kryeqytetit, një nismë e re e Ministrisë së Arsimit që synon të zgjerojë procesin edukativ përtej orarit të zakonshëm mësimor.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se pas përfundimit të mësimit, nxënësit përfshihen në aktivitete të ndryshme sipas interesave të tyre.

“Nga kjo javë ka nisur pilotimi i programit ‘Pas Shkolle’ dhe pas mbarimit të mësimit, nxënësit përfshihen në aktivitetet e preferuara që nga kërcimi, zejet tek arti pamor dhe bërja e detyrave të shtëpisë”, shkruan Kumbaro.

Ministrja ka vizituar shkollën “Androkli Kostallari” në periferi të Tiranës, një nga institucionet ku programi ka nisur me një numër të kufizuar nxënësish, duke uruar stafet pedagogjike dhe nxënësit për angazhimin në këtë nismë.

“Suksese nxënësve dhe mësuesve të përkushtuar të kësaj shkolle që përmes këtij programi edukojnë, argëtojnë dhe nxisin bashkëpunimin në komunitet”, shprehet ajo.

Në videon e publikuar nga Ministria e Arsimit, nxënësit shfaqen entuziastë për mundësinë e pjesëmarrjes në aktivitete artistike, sportive dhe krijuese, ndërsa edhe prindërit e kanë mirëpritur nismën si një mbështetje shtesë pas orarit mësimor.

Programi “Edukimi Pas Shkollor në Shqipëri – Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës” synon unifikimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare dhe përfshirjen e modeleve ndërkombëtare, përfshirë edhe praktika si “Shkollat e Shekullit të 21”, me fokus në zhvillimin e kompetencave digjitale, mendimit kritik dhe aftësive sociale.

Aktualisht, programi po pilotohet në 46 shkolla të Tiranës dhe synon jo vetëm zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shkollë, por edhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të strukturuar për zhvillimin e talenteve dhe aftësive të tyre.

Nisma parashikon gjithashtu integrimin e aktiviteteve si arti, sporti dhe projektet komunitare, duke e kthyer shkollën në një qendër më të gjerë sociale dhe edukative. Sipas Ministrisë së Arsimit, me skemën e re të miratuar nga qeveria është dyfishuar edhe pagesa për orë për mësuesit e angazhuar në këtë program.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *