Bordi i Transparencës ka bërë të ditura çmimet e reja tavan për karburantet në tregun vendas, duke përcaktuar nivelin maksimal të shitjes së naftës dhe benzinës për konsumatorët dhe operatorët e tregut.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 196 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk do të kalojë 184 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën e standardit SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë është vendosur në jo më shumë se 180 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 168 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 12:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku pritet të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar masa në rast shkeljesh. Në rast moszbatimi të çmimeve të përcaktuara, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit të operatorëve përkatës.
Në reagim institucional, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të garantuar funksionimin e një tregu me konkurrencë të ndershme.
Gjithashtu sqarohet se, referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, në rast se çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose i benzinës 200 lekë për litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Megjithatë, sipas metodologjisë aktuale për llogaritjen e çmimeve tavan, çmimet aktuale mbeten nën këtë kufi dhe për rrjedhojë akciza aplikohet në nivelin e plotë prej 100%.
