Edhe pse prej kohësh është në kërkim ndërkombëtar, 43-vjeçari Florian Gjergji dyshohet se vijon aktivitetin e tij kriminal nga arratia, duke synuar persona të njohur dhe biznesmenë.
Rasti i fundit është zbuluar nga Policia e Tiranës, pas një tentative për t’i marrë 100 mijë euro kreut të FSHF-së, Armand Duka. Sipas hetimeve, Gjergji e ka kontaktuar Dukën përmes aplikacionit “Signal”, duke u prezantuar si një drejtues i lartë i Partisë Socialiste dhe duke i kërkuar shumën në bitcoin.
Duka ka njoftuar policinë dhe ka vijuar komunikimin në kuadër të operacionit, ndërsa Gjergji dyshohet se ka angazhuar dy të rinj, Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç, për të tërhequr shumën.
Policia organizoi një operacion të kontrolluar, ku një agjent i infiltruar u paraqit si djali i Armand Dukës dhe deklaroi se paratë do të jepeshin në cash. Takimi u organizua në Elbasan, ku dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë teksa dyshohet se po tentonin të merrnin shumën e parave.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rolit të personave të përfshirë dhe lidhjeve të tyre me 43-vjeçarin Florian Gjergji.

