Një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në fshatin Libonik, duke vënë në lëvizje policinë dhe shërbimet e emergjencës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është një burrë rreth 60 vjeç, i cili prej afro një muaji jetonte së bashku me vëllanë e tij. Ky i fundit kishte ardhur nga jashtë vendit për të qëndruar për një periudhë të shkurtër në Shqipëri.
Ka qenë pikërisht vëllai ai që e ka gjetur të pajetë në mëngjes dhe më pas i ka kërkuar një komshiu të njoftonte ambulancën dhe policinë.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa autoritetet presin rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Policia ka nisur veprimet procedurale dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
