Në pritje të zhvillimeve në stolin teknik me përmendjen e Jose Mourinho, mediat ndërkombëtare raportojnë se Real Madrid ka nisur lëvizjet e para në merkato verore dhe objektivi kryesor për krahun e djathtë është Denzel Dumfries.
Sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano, si dhe mediave në Spanjë e Itali, afrimi i Dumfries konsiderohet gjithnjë e më i mundshëm, duke u cilësuar nga disa burime si një “operacion i avancuar”.
Holandezi shihet si zëvendësuesi potencial i Dani Carvajal, i cili sipas raportimeve është larguar nga Madridi si lojtar i lirë. Nga 1 korriku, Dumfries mund të largohet nga Inter Milan nëse aktivizohet klauzola e tij e lirimit prej 20 milionë eurosh.
Inter, nga ana e tij, nuk shihet kundër një shitjeje të tillë, pasi transferimi i holandezit do të ndihmonte bilancin financiar të klubit. Dumfries kishte kaluar te zikaltërit në verën e vitit 2021 për rreth 12 milionë euro.
Në rast largimi të tij, Inter pritet të hidhet në merkato për të siguruar shërbimet e Marco Palestra, i cili raportohet si një nga objektivat kryesorë për krahun e djathtë në projektin e ri të klubit italian.
