Që Sali Berishën nuk e mund dot askush brenda asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike në kushtet aktuale, kjo s’do as mend e as kalem! Doktori mund të jetë 82 vjeç, por përballë ka një tabor “liderash” të vegjël që për nga guximi dhe statutura politike ngjajnë më shumë me fëmijë kopshti që kanë harruar të rriten dhe fshihen pas pantallonave të gjyshit!
Në atë shtëpi të përmbytur, rregullat e lojës i shkruan, i fshin dhe i ribën vetëm një njeri!
Por problemi i vërtetë nuk është jetëgjatësia biologjike apo politike e Berishës. Problemi real, ai që të shkakton sa të qeshur aq edhe dëshpërim, është që pothuajse të gjithë të tjerët në PD janë dorëzuar pa kushte. Janë shtrirë barkas, të nënshtruar dhe çuditërisht të lumtur në gjendjen e tyre të impotencës totale politike.
Lufta e madhe për një vend!
Motivi i tyre i përditshëm, i thënë nëpër dhëmbë e me zë të dridhur nëpër kafetë e rrugës ku “vrasin” kohën, është i thjeshtë: “S’e mundim dot Berishën, s’e mundim dot Ramën!”
Dhe me këtë logjikë absolutisht “gjeniale”, kanë vendosur të bëjnë të vetmen gjë që dinë, të mos mundin as veten.
Kemi të bëjmë me një tufë profile të zbehta, një repart të vërtetë eunukësh politikë, të cilët misionin e tyre të vetëm në jetë kanë t’i fërkojnë shpatullat një 82-vjeçari. Pse? Jo për ndonjë ideal të madh, as për përmbysje regjimi, por me shpresën se Doktori do t’u zgjasë dorën e do t’u lëshojë ndonjë kockë, një vend të sigurt në listën e deputetëve të vitit tjetër. Kaq!
Ky është horizonti i tyre, ky është zeniti i ambicies së tyre politike. Me kaq ata e quajnë ditën e punës të mbyllur dhe shkojnë flenë të qetë.
Bilanci i Madh Opozitar (Përjashto Përjashtimin)
▪️ Guximi: Zero (dhe me kosto zero).
▪️ Alternativa:”Po iku ai, do vijmë ne… po s’iku, do rrimë këtu”.
▪️ Strategjia: Fërko shpatullat, rri në rresht, mos bëj zhurmë se zgjohet Sulltani.
Përjashtimi i vetëm nga ky rregull me sa po shihet është Ervin Salianji!
Përpara se ta shpallim këtë kooperativë plotësisht të vdekur, ka një detaj që prish të gjithë rehatinë e oborrit.
Në këtë mjedis ku lypet mëshirë, Ervin Salianji përfaqëson të vetmen anomali që i tmerron ata që duan status-kuonë. Ndryshe nga tufa e profileve të zbehta që bëjnë sikur kanë muskuj politikë, Salianji ka treguar se i ka ata në të vërtetë.
Ai nuk është nga ata që presin t’u lëshohet një vend në listë si lëmoshë. Përballë një trupe drejtuese që dridhet përpara hijeve, Salianji ka demonstruar një artikulim të qartë, peshë specifike në elektorat dhe, mbi të gjitha, një guxim që të tjerëve u mungon organikisht. Ai nuk fshihet pas frazave të gatshme, ai zbret në terren, përballet dhe krijon aksion! Nëse ka një figurë sot në PD që mbart potencialin real, seriozitetin strukturor dhe profilin e një rivali të denjë për të marrë frenat e opozitës dhe për të sfiduar si kryetarin aktual ashtu edhe Edi Ramën, ai është Salianji. Dhe pikërisht ky seriozitet i tij e bën atë të duket si jashtëtokësor në mes të një republike eunukësh!
Tradhtia ndaj “të çmendurve” të idealit
Më e dhimbshme dhe më e turpshme në gjithë këtë teatër (ku Salianji mbetet i vetmi aktor me peshë) është tallja që këta “revolucionarë të kolltukut” i bëjnë elektoratit të tyre. Atij elektorati që ka luftuar me mish e me shpirt, që ka ngrënë gazin lotsjellës, që ka humbur vendet e punës dhe ka dalë në rrugë pa kërkuar kurrë asgjë në këmbim, përveç një ndryshimi të vërtetë.
Në vend që t’i përfaqësojnë këta njerëz me dinjitet, ashtu siç tenton të bëjë ajo pjesëz e mbetur serioze e opozitës, kjo elitë e vjetër sillet si një ndërmarrje private që bën tregti me dëshpërimin e demokratëve. Turp dhe faqja e zezë!
Një fytyrë, një shpirt
Në fund të ditës, kur heq dorë nga parimet dhe mendon vetëm për mbijetesën tënde të vogël biologjike në parlament, ku është dallimi?
Nuk keni absolutisht asnjë dallim nga Edi Rama. Jeni thjesht ana tjetër e së njëjtës medalje të ndryshkur.
Opozita e sotme ,nëse përjashtojmë ata pak që kanë mbetur me potencial real si Salianji, që refuzojnë të ulin kokën, nuk është gjë tjetër veçse oborri i radhës ku Zeqineja dhe Mila shpallen fitues. Pse? Sepse thjesht dinë të tundin kokën më bukur e më shpejt se të tjerët përpara Sulltanit. Kooperativa falimentoi, por sa mirë që rrogat e deputetëve vazhdojnë!
