Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Tare është nën hetim nga prokurorët e posaçëm për veprën penale të “pastrimit të parave”, ndërsa paraqitja e tij në SPAK vjen në një fazë kur hetimet po shtrihen edhe te persona të tjerë që dyshohet se kanë pasur marrëdhënie financiare të lidhura me çështjen.
Pak ditë më herët, në kuadër të të njëjtit hetim, në SPAK ishte marrë në pyetje edhe vëllai i Igli Tares, Agron Tare. Ai është thirrur nga prokurorët e posaçëm për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen që po hetohet.
Hetimet janë pjesë e dosjes së SPAK-ut që lidhet me Belinda Ballukun, ish-zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Prokurorët po verifikojnë veprime, marrëdhënie dhe transaksione financiare të disa prej personave që janë përfshirë në hetim.
Paraqitja e Igli Tares në SPAK pritet të pasohet nga marrja e deklarimeve të tij lidhur me dyshimet që kanë ngritur prokurorët. Deri në këtë fazë, hetimi vijon dhe përgjegjësia penale e çdo personi do të përcaktohet në përfundim të procesit hetimor dhe gjyqësor.
Igli Tare ka pasur një karrierë të gjatë në futboll, si me Kombëtaren shqiptare, ashtu edhe në klubet italiane, ndërsa pas përfundimit të karrierës si futbollist ka vijuar aktivitetin në drejtimin sportiv.

