Një person është gjobitur me 500 mijë lekë të rinj pasi shkeli perimetrin e sigurisë me një mjet lundrues, duke rrezikuar jetën e pushuesve në plazhin e Dhërmi.
Përveç masës administrative, Policia Kufitare bëri edhe bllokimin e gomones.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë pas denoncimeve të pushuesve, të cilët raportuan se një gomone ishte futur shumë pranë bregut, duke rrezikuar sigurinë e personave që po laheshin në det.
“Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues gomone kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh”, thuhet në njoftim.
Pas verifikimeve, policia konstatoi mjetin lundrues me drejtues shtetasin me inicialet F.D.
Në përfundim të procedurave administrative, ndaj tij u vendos gjoba prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua nga autoritetet.
