Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se bujqit dhe blegtorët shqiptarë do të mund të aplikojnë për masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori duke nisur nga e hëna, 25 maji.
Fondi total i vënë në dispozicion për këtë vit arrin në 5.2 miliardë lekë, ndërsa skema sjell disa ndryshime të rëndësishme në mbështetjen për sektorin rural.
Për herë të parë në skemë janë përfshirë edhe fermat e derrave. Sipas masave të reja, mbarështimi i derrave do të subvencionohet me 7 mijë lekë për fermat që kanë mbi 5 dosa.
Gjithashtu, janë rritur lehtë subvencionet për mbarështimin e lopëve dhe bagëtive të imta, si dhe mbështetja për bletarinë, bimët medicinale dhe fermat organike.
Një tjetër ndryshim lidhet me kriteret e aplikimit, të cilat janë përgjysmuar për të lehtësuar përfitimin nga fermerët dhe blegtorët.
Megjithatë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur të heqë nga skema subvencionimin për naftën, një nga kërkesat kryesore të fermerëve, në një kohë kur çmimet e karburanteve vijojnë të rriten.
Përveç skemës së mbështetjes direkte, ndryshime do të ketë edhe në skemën e investimeve. Fermerët e rinj do të mund të përfitojnë deri në 10 mijë euro grant, ndërsa për ndërtimin e staneve në blegtori do të jepen deri në 3 milionë lekë. Ndërkohë, për makineritë bujqësore parashikohet mbështetje deri në 500 mijë lekë.
Heqja e subvencionit për naftën vjen në një periudhë kur çmimet e plehrave kimike janë rritur ndjeshëm, duke vështirësuar më tej kostot për fermerët shqiptarë.
