DRAFTI I RI PËR AVOKATURËN E SHTETIT/ ZGJEROHEN KOMPETENCAT DHE PËRFSHIHEN BASHKITË

DRAFTI I RI PËR AVOKATURËN E SHTETIT/ ZGJEROHEN KOMPETENCAT DHE PËRFSHIHEN BASHKITË

Avokatura e Shtetit pritet t’i nënshtrohet ndryshimeve të rëndësishme ligjore, pasi një draft i ri i hedhur për konsultim publik synon zgjerimin e kompetencave të institucionit.

Sipas projektligjit të propozuar nga Këshilli i Ministrave, Avokatura e Shtetit nuk do të ofrojë më asistencë juridike vetëm për institucionet e pushtetit qendror, por edhe për organet e vetëqeverisjes vendore.

Në draft thuhet se Avokatura e Shtetit “përfaqëson dhe mbron interesat pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore përpara gjykatave të të gjitha niveleve, pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit”.

Një nga risitë kryesore të projektligjit është krijimi i figurës së “ndihmësit ligjor të avokatëve të shtetit”, funksionarë që do të emërohen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit si në nivel qendror ashtu edhe vendor.

Sipas Këshillit të Ministrave, ndryshimet synojnë rritjen e cilësisë së përfaqësimit juridik, garantimin e qëndrueshmërisë së profesionistëve dhe shmangien e vakancave në institucion.

“Miratimi i këtij projektligji do të kontribuojë në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë në ushtrimin e funksioneve të avokatëve të shtetit, garantimin e qëndrueshmërisë së profesionistëve, si dhe ofrimin e një përfaqësimi dhe mbrojtjeje të specializuar për pushtetin vendor”, thuhet në relacionin shoqërues të draftit.

Projektligji parashikon gjithashtu që Avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit bashkive, sipas kritereve që do të përcaktohen me vendim të qeverisë.

Qeveria argumenton se nevoja për ndryshime lidhet edhe me mungesën e stafit juridik në raport me ngarkesën e lartë të çështjeve gjyqësore.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar Avokatura e Shtetit ka përfaqësuar çështje me vlerë rreth 8 miliardë lekë, ose afro 84 milionë euro, si dhe mbi 12 milionë metra katrorë pasuri të paluajtshme.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *