Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, i shpallur fajtor për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj.
Sipas vendimit, çështja do të rikthehet për rigjykim në Gjykatën e Apelit, me një trupë të re gjyqësore, duke hapur kështu një fazë të re shqyrtimi të dosjes gjyqësore.
Bashkë me Picarin do të rigjykohet edhe vajza e tij, Dhurata Saliaj, e cila më herët ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg si bashkëpunëtore në krim.
Ngjarja për të cilën ata u dënuan ndodhi më 4 qershor 2021, në verandën e një lokali pranë Gjykatës Civile të Tiranës. Sipas dosjes, Kudret Saliaj u qëllua me armë zjarri nga afër teksa ndodhej në një tavolinë, në proces divorci me bashkëshorten e tij. Nga të shtënat humbi jetën Saliaj, ndërsa u plagos edhe avokati i tij, Adriatik Cami, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.

