Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnje ka rezultuar fatal për një 43-vjeçar.
Viktima është Ernis Xhumari, i cili ka humbur jetën pasi automjeti që drejtonte është përplasur në rrethrrotullimin e njohur si ai i Plasmasit.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Benz” po lëvizte me shpejtësi të lartë kur drejtuesi ka humbur kontrollin, duke goditur fillimisht bordurën e rrethrrotullimit. Më pas, mjeti është përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe ka përfunduar dhjetëra metra larg vendit të përplasjes.
Për shkak të forcës së madhe të goditjes, 43-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, pa mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet procedurale dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, efektivët e shërbimit zjarrfikës kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës nga mbetjet e automjetit të shkatërruar, me qëllim rikthimin e normalitetit në qarkullimin e mjeteve.
